COP30: Përparim i vogël drejt tranzicionit energjetik, pengesa të mëdha nga vendet e naftës.

COP30: Përparim i vogël drejt tranzicionit energjetik, pengesa të mëdha nga vendet e naftës.
The Guardian

Vendet e pasura do të duhet të trefishojnë fondet për të ndihmuar vendet më të prekura nga kriza klimatike, ndërsa çështjet si shpyllëzimi dhe shfrytëzimi i mineraleve strategjike janë lënë jashtë marrëveshjes finale të COP30.

Bota bëri një përparim të vogël drejtë fundit të epokës së karburanteve fosile, por jo aq sa duhej për të shmangur shkatërrimin klimatik.

Vendet të cilat u mblodhën në Brazil për dy javë arritën në një marrëveshje vullnetare ku do të mund të hapen diskutimet për ndërprerjejen e ardhshme të karburanteve fosile, dhe ky avancim minimal u arrit edhe pas kundërshtimeve të palëkundura nga shtetet prodhuese të naftës.

Bisedimet rrezikuan të dështonin tërësisht, por u shpëtuan pas një nate të gjatë negociatash. Më shumë se 80 vende, si të pasura ashtu edhe në zhvillim, u përplasën me grupin e udhëhequr nga Arabia Saudite dhe aleatët e saj, të mbështetur edhe nga Rusia.

Aktivistët u shprehën të zhgënjyer, por edhe të lehtësuar që bisedimet prodhuan të paktën pak avancim. Vendet në zhvillim arritën pjesërisht qëllimin e tyre në bisedimet globale, që ishte trefishimi i mbështetjes financiare nga vendet e pasura për t’i ndihmuar ato të përshtaten me ndikimet e krizës klimatike. Ato duhet të marrin 120 miliardë dollarë (92 miliardë £) në vit për përshtatje, nga 300 miliardë dollarët që vendet e zhvilluara ju premtuan vitin e kaluar dhe këtë shifër, vendet e varfëra, do të mund ta marrin deri në vitin 2035 në vend të afatit 2030 që ato kërkonin. Shumë prej tyre kishin shpresuar gjithashtu që rritja të ishte përtej shifrës prej 300 miliardësh.

Një plan veprimi për ndalimin e shpyllëzimit u hoq nga marrëveshja finale, një zhgënjim i madh për mbrojtësit e natyrës “COP të pyjeve tropikale” të mbajtur në Belém, pranë grykëderdhjes së lumit Amazon.

Marrëveshja mes 194 vendeve, duke përjashtuar SHBA-në, e cila nuk dërgoi delegacion, u arrit në orët e para të mëngjesit pas 12 orësh bisedimesh të pandërprera nëpër salla konferencash, dhe u finalizua në një mbledhje mbyllëse në orën 13:35, pasi negociatat u rikthyen nga rreziku i kolapsit të së premtes mbrëma.

Në seancën plenare, shumë delegacione, përfshirë Kolumbinë, u ankuan me zë të lartë se nuk u lejuan të flisnin para se marrëveshja të miratohej, pavarësisht se Brazili kishte deklaruar se kjo do të ishte “COP i së vërtetës”. Seanca u ndërpre për pak kohë, por presidenti i COP30, André Corrêa do Lago, më pas konfirmoi se vendimet e miratuara më herët ishin pranuar.

Jennifer Morgan, veterane e COP dhe ish-e dërguar e posaçme për klimën nga Gjermania, tha: “Edhe pse larg asaj që nevojitej, rezultati në Belém është përparim domethënës. Marrëveshja e Parisit po funksionon, tranzicioni larg karburanteve fosile i rënë dakord në Dubai (në COP28 më 2023) po përshpejtohet. Pavarësisht përpjekjeve të vendeve të mëdha prodhuese të naftës për të ngadalësuar tranzicionin e gjelbër, multilateralizmi vazhdon të mbështesë interesat e gjithë botës në luftën kundër krizës klimatike.”

Mohamed Adow, drejtor i Power Shift Africa, tha: “Me një sfond gjithnjë e më të përçarë gjeopolitik, COP30 na dha disa hapa të vegjël në drejtimin e duhur, por duke parë shkallën e krizës klimatike, ajo dështoi të ngrihet në nivelin e situatës. Pavarësisht se e quajnë veten udhëheqës klimatikë, vendet e zhvilluara kanë tradhtuar vendet e cenueshme duke mos ofruar plane kombëtare të reduktimit të emetimeve në përputhje me shkencën.”

Aisha Humaira, udhëheqëse e delegacionit të Pakistanit, akuzoi vendet e zhvilluara për hipokrizi: “Vendet të cilat kanë përdorur të gjitha burimet e energjisë për 200 vjet dhe kanë arritur kulmin e zhvillimit industrial dhe megjithatë nuk kanë ndaluar së përdoruri ato burime, po na thonë neve ‘ndaloni së rrituri’,” tha ajo. “E drejta për zhvillim dhe siguri është themelore për çdo vend.”

Përpjekjet për të kufizuar ngrohjen globale në 1.5°C mbi nivelet paraindustriale, në përputhje me qëllimet e Marrëveshjes së Parisit, u trajtuan gjithashtu në diskutimin final, por me një rezultat më të dobët se sa kishin shpresuar vendet e cenueshme. Para konferencës, pritej që shtetet të paraqisnin plane të reja kombëtare për uljen e emetimeve, por ato dështuan të përmbushnin angazhimet e nevojshme për të ruajtur objektivin 1.5°C, i cili tashmë është tejkaluar, por sipas analistëve mund të rikthehet.

Në vend që të dënohej ky dështim, konferenca ra dakord të krijojë një program “përshpejtues” për të adresuar mungesën e kontributeve të përcaktuara kombëtare (NDC-të, pra planet e klimës së çdo shteti), të cilët do të raportojnë vitin e ardhshëm në COP në Turqi, nën drejtimin e Australisë. Ky vendim ju bën thirrje vendeve për “zbatim të plotë të NDC-ve duke synuar rezultate më të mira”.

Marrëveshja finale njohu gjithashtu “tranzicionin e drejtë” që aktivistët e drejtësisë sociale e kishin kërkuar prej kohësh, dhe kjo do të thotë ndihmë për punëtorët e prekur nga ndryshimi i sistemit (nga karburante fosile drejt energjisë së pastër). Por dispozitat kyçe për shfrytëzimin e “mineraleve strategjike”, çështje që shoqërohet me rritje të abuzimeve të të drejtave të njeriut në disa vende, u bllokuan nga Kina dhe Rusia.

Burime të brendshme thanë se pas disa javësh të ngarkuara në Brazil që nisën me një samit të liderëve botërorë të organizuar nga presidenti i Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva, ku morën pjesë rreth 50 krerë shtetesh ose qeverish, theksuan se ditën e premte bisedimet ishin shumë pranë dështimit.

Por pasi liderët u larguan dhe COP30 filloi zyrtarisht të hënën më 10 nëntor, diskutimet midis ministrave dhe zyrtarëve të lartë u shndërruan në një përplasje të ashpër. Një zjarr pranë zyrave të delegacioneve të enjten pasdite, ku askush nuk u lëndua rëndë, detyroi evakuimin e qendrës së konferencave dhe ndërpreu negociatat në një fazë kritike.

Kur bisedimet rifilluan të enjten mbrëma, përçarja ishte e qartë: më shumë se 80 vende ishin deklaruar në favor të përfshirjes së një angazhimi për “tranzicion larg karburanteve fosile” në rezultatin final, por dhjetëra vende, të udhëhequra nga grupi arab, përfshirë Arabinë Saudite, u rreshtuan kundër.

Ai kundërshtim detyroi që angazhimi për “tranzicion larg karburanteve fosile”, që shkencëtarët thonë se është thelbësor për të shmangur efektet më të këqija të krizës klimatike, të mbetet vetëm vullnetar dhe jo vendim ligjërisht detyrues, siç shumë kishin shpresuar.

Teresa Anderson, drejtuesja globale për drejtësinë klimatike në ActionAid International, tha: “Mungesa e financimit për klimën po pengon përparimin e misionit. Vendet e jugut, të cilat tashmë po mbajnë barrën e kostove të krizës klimatike të cilën as nuk e kanë shkaktuar vetë, kanë nevojë dëshpërimisht për mbështetjen e vendeve të pasura për të marrë përsipër angazhime të reja. Kjo u pa qartë te çështja e karburanteve fosile, ku qëlimi kryesor edhe një herë përfundoi i pafinancuar dhe i hequr nga marrëveshja.”

Nikki Reisch, nga Qendra për Ligjin Ndërkombëtar të Mjedisit, tha: “Kjo është një marrëveshje bosh. COP30 na kujton qartë se përgjigjet ndaj krizës klimatike nuk gjenden brenda bisedimeve të klimës, por te njerëzit dhe lëvizjet që po udhëheqin rrugën drejt një të ardhmeje të drejtë, të barabartë dhe pa karburante fosile.”

Perkthyer nga "The Guardian"