DEKLARATË PËR MEDIAN DHE OPINIONIN PUBLIK Nga: Grupimi i Shoqërisë Civile “Shpëto Vlorën”

Data: 10 Korrik 2026

Grupimi i shoqërisë civile “Shpëto Vlorën”, i mbledhur sot më 10 Korrik 2026 në qytetin e Vlorës në një tryezë të rrumbullakët të zgjeruar me personalitete, ekspertë dhe qytetarë aktivë në jetën shoqërore e mjedisore, pasi diskutoi gjerësisht problematikat e mprehta të investimeve të mëdha fosile dhe industriale të projektuara në territorin e Bashkisë së Vlorës, lëshon këtë deklaratë :

1. Faktorizimi Publik dhe "Revolucioni i Flamingove"

Grupimi “Shpëto Vlorën” e sheh veten pjesë aktive dhe legjitime të "Revolucionit të Flamingove". Ne angazhohemi të jemi një faktor publik permanent konsultimi, monitorimi dhe vendimmarrjeje për çdo lloj investimi vendas apo të huaj të përmasave të mëdha që ka impakt afatgjatë në mjedis, jetën e komunitetit dhe territorin e Bashkisë Vlorë. Zhvillimi i qytetit nuk mund të vendoset më pas dyerve të mbyllura të korporatave.

2. Mbrojtja e Zonave të Mbrojtura dhe Moratoriumi i BE-së

Në vijim edhe të rezolutës dhe amendamentit të fundit të Parlamentit Europian, kërkojmë ndalimin e menjëhershëm të çdo ndërhyrjeje ndërtuese apo zhvillimore në territoret e zonave të mbrojtura:

  • Ekosistemi Pishë Poro - Nartë
  • Parku Kombëtar Detar Sazan - Karaburun
  • Lumi Vjosa dhe delta e tij

3. Largimi i TEC-it Lundrues dhe Hapja e Konkursit Kombëtar

16 Gusht 2026 përfundon zyrtarisht kontrata e qirasë grabitqare e milionave të qytetarëve për dy anijet gjeneratore në Triport. Kërkojmë:

  • Lirimin e menjëhershëm të të gjithë territorit detar dhe tokësor të zënë nga ky TEC lundrues në këtë datë.
  • I bëjmë thirrje dhe ftojmë zyrtarisht Bashkinë e Vlorës të shpallë një konkurs të hapur me arkitektë dhe urbanistë shqiptarë     për një projekt zhvillimi të qëndrueshëm të kësaj hapësire. Ky projekt duhet të integrohet organikisht me portin dhe merkaton e peshkimit, si dhe të shërbejë si një nyje dinjiteti për organizimin e lundrimit dhe turizmit detar.

4. Anulimi i Hub-it Energjetik Fosil

Kërkojmë anulimin e plotë të çdo projekti, lejeje apo vendimmarrjeje për ndërtimin e të ashtuquajturit "Hub Energjetik" në Vlorë. Ky projekt, i nisur nga marrëveshja e datës 28 Prill 2026 midis kompanisë shtetërore ALBGAS dhe korporatave të fosileve amerikane dhe greke, synon ta kthejë gjirin tonë në një enklavë të gazit të lëngshëm (LNG), duke e gozhduar ekonominë dhe mjedisin e Vlorës në një epokë ndotjeje.

5. Pezullimi i Parkut Industrial Turistik prej 88.5 Ha

Kërkojmë pezullimin e menjëhershëm të çdo veprimi fizik dhe institucional në terren për parkun industrial prej 88.5 Hektarësh të dhënë në favor të korporatës turke.

  • Kërkojmë nga Bashkia Vlorë të organizojë urgjentisht një takim të hapur ballafaqimi midis përfaqësuesve të kësaj korporate, grupimit “Shpëto Vlorën” dhe komunitetit të qytetarëve të Vlorës për të bërë transparencë të plotë mbi impaktin e këtij projekti.

Vlora u përket vlonjatëve dhe qytetarëve të saj, jo interesave të ngushta të oligarkisë globale të fosileve. Beteja jonë sapo ka filluar në çdo shesh, në çdo rrugë dhe në çdo zyrë ligjore.

Grupimi i Shoqërisë Civile “Shpëto Vlorën”

Tiranë - Vlorë, 10 Korrik 2026