Disa pyetje për gazetën “Sot” nga grupimi “Shpëto Vlorën”

Laureta Petoshati, Gëzim Zile

Të prishësh zona të mbrojtura, të japësh territor shqiptar, të shkelësh ligjet e shtetit, të trajtosh detin dhe bregdetin si pronë private, e pastaj të akuzosh protestuesit si “spiunë grekë”, është diversion dhe fyerje për qytetarët.

Kryeministri njësoj diversion bëri edhe për Sheshin e Flamurit, të cilin e shfytyroi, duke cenuar simbolikën dhe identitetin historik të Vlorës.

Ligji shqiptar e ka shumë të qartë statusin e bregdetit dhe të drejtën e qytetarëve për ta përdorur atë lirshëm.

  • Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe Kodi Civil e përcaktojnë bregdetin, rërën dhe ujërat territoriale si pasuri publike të patjetërsueshme.
  • Ligji Nr. 107/2014 “Për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit”, i ndryshuar, ndalon ndërtime, rrethime apo pengesa që cenojnë interesin publik dhe aksesin e lirë të qytetarëve.
  • Ligji Nr. 93/2015 “Për Turizmin”, i ndryshuar, detyron ruajtjen e hapësirave publike në plazhe dhe garantimin e aksesit të lirë në vijën bregdetare.
  • Rregulloret për administrimin e plazheve përcaktojnë se një pjesë e plazhit duhet të mbetet publike dhe pa pagesë, ndërsa subjektet private nuk kanë të drejtë të bllokojnë hyrjet drejt detit apo kalimin e lirë të qytetarëve.

Çdo gardh, bllokim apo trajtim i bregdetit si pronë private përbën shkelje ligjore dhe duhet të shoqërohet me përgjegjësi administrative dhe penale.

Prandaj protesta për mbrojtjen e bregdetit dhe të ligjit nuk është spiunazh. Është e drejtë qytetare dhe mbrojtje e interesit publik.

Ja si veprojnë vende të tjera europiane, si Italia: edhe në rastin e Donald Trump Jr., janë hapur hetime dhe është ngritur debat publik për shkelje të dyshuara në zona të mbrojtura dhe gjueti, duke treguar se ligji zbatohet dhe nuk ka përjashtime për askënd.

Ndërsa në Shqipëri, në zona të ndjeshme si Zverneci dhe Dalan, që janë habitat i flamingove dhe pjesë e rëndësishme e ekosistemeve të mbrojtura, qytetarët ngrenë shqetësimin se ligji nuk po zbatohet me të njëjtin standard dhe forcë për të gjithë.

Prandaj pyetja për gazetën “Sot” mbetet: a është normale që qytetarët që kërkojnë zbatimin e ligjit të etiketohen dhe baltosen, ndërkohë që mungon transparenca dhe llogaridhënia për veprimet që prekin pronën publike? A duhet që në Shqipëri ligji të mbyllë sytë përpara rasteve kur dhëndurët apo familjarët e presidentëve amerikanë kërkojnë favore apo trajtim të veçantë? Dhe nëse raste të tilla përsëriten vazhdimisht pa u ndalur, çfarë do të mbetet nga Shqipëria?

Ja se çfarë shkruan edhe historiania dhe patriotja Eleni Kocaqi:

“Qeveria shqiptare në mënyrë urgjente duhet të njoftojë popullin se kush ka rrethuar me gardhe një hapësirë të patjetërsueshme publike në Vlorë, pronë absolute e popullit shqiptar. Bregu, shtrati i detit, lumit, liqeneve dhe rezervuarëve, së bashku me ujin, janë pronë e përbashkët e popullit dhe nuk mund të shiten, blihen apo privatizohen. Nëse ekziston një kontratë, ajo duhet të bëhet publike dhe të sqarohet qartë se çfarë përfiton populli shqiptar nga ky investim. Ligji nuk lejon rrethimin e detit dhe ata që e kanë bërë duhet të mbajnë përgjegjësi penale. Organet e drejtësisë duhet të nisin procedim penal për këtë çështje."
Këto janë argumentet e një historianeje dhe një avokateje, por meqë në atë protestë dhe në grupimin për nismën “Shpëto Vlorën” shumë prej nesh që jemi nga Dukati dhe Vlora, dhe kemi të afërm, gjyshër e stërgjyshër që kanë luftuar dhe kanë dhënë jetën në luftë kundër shovinizmit grek, kemi këto pyetje:

Nëse në projekte të mëdha zhvillimi në Shqipëri përfshihen figura të huaja me ndikim, si Jared Kushner, kush garanton që vendimmarrjet të mos cenojnë ligjin shqiptar dhe interesin publik?

A ka transparencë të plotë mbi këto projekte dhe mbi ata që qëndrojnë pas tyre, apo Shqipëria rrezikon të trajtohet si një hapësirë ku standardet ligjore mund të relativizohen për shkak të emrave dhe lidhjeve politike?

Dhe pyetja për gazetën “Sot” mbetet: a është normale që qytetarët që kërkojnë zbatimin e ligjit të etiketohen dhe baltosen, ndërkohë që mungon transparenca e plotë për vendimmarrjet që prekin pronën publike?

Në fund lind pyetja  e përbashkët për gazetën dhe lexuesit e saj: a bëhet fjalë për transparencë të plotë mbi emrat realë të investitorëve dhe vendimmarrësve në këto projekte, apo për struktura të fshehura interesi që veprojnë pas figurave publike dhe kërkojnë përfitime në dëm të interesit publik?