Kur këputet lidhja me natyrën ___

Kur këputet lidhja me natyrën 
___

“Një nga kushtet e para të lumturisë është që lidhja mes njeriut dhe natyrës të mos prishet. L.Tolstoi.Sot, ka ardhur koha të pyesim veten: çfarë ka mbetur nga kjo lidhje për ne, në Shqipëri?Çdo verë shohim të njëjtën pamje. Male në flakë. Pyje të mbuluara nga tymi. Drurë që kanë jetuar më gjatë se ne, që bien të karbonizuara brenda pak minutash. Kafshë që ikin të tmerruara, zogj që humbasin foletë, tokë që mbetet e zhveshur dhe e pambrojtur nga degradimi.Dhe mbi të gjitha - shpresë që digjet…Pastaj zjarri shuhet.Tymi largohet.Ne vazhdojmë jetën.Por pylli nuk vazhdon aty ku e la.Atij mund t’i duhen dhjetëra vite për t’u kthyer. Ndonjëherë nuk kthehet më kurrë siç ishte.Zjarret janë vetëm plagët që duken më shumë. Ka edhe plagë që hapen në heshtje: një pemë e prerë sot, një përrua i mbushur me mbeturina nesër, një ligatinë e tharë, një shpat mali i gërmuar, një habitat i copëzuar, një copë bregdeti e betonizuar.Secila veçmas mund të duket e vogël.Por bashkë po ndryshojnë fytyrën e Shqipërisë.Ne vazhdojmë ta trajtojmë natyrën sikur të ishte diçka jashtë nesh. Sikur pylli të ishte thjesht disa drurë, mali një sipërfaqe për t’u shfrytëzuar, lumi një kanal uji dhe bregdeti një truall për t’u ndërtuar.Por harrojmë se natyra nuk është prona jonë. Është shtëpia jonë.Një pyll nuk është vetëm një grumbull drurësh. Është ujë, tokë, ajër, jetë, freski, biodiversitet, peizazh dhe kujtesë. Është vendi ku kanë jetuar breza përpara nesh dhe trashëgimia që duhet t’u dorëzojmë atyre që ende nuk kanë lindur.Prandaj, kur digjet një pyll, nuk digjen vetëm drurët.Digjet një pjesë e së ardhmes sonë, e historisë sonë.Kur zhduket një specie, bota jonë bëhet pak më e varfër.Kur betonizohet një peizazh, humbasim diçka që nuk blihet më me para.Kur ndotet një lumë, nuk kemi dëmtuar vetëm ujin,  kemi dëmtuar jetën që varet prej tij, d.m.th veten tonë.Më e dhimbshmja është se shumë prej këtyre humbjeve nuk janë fatkeqësi natyrore. Janë rezultat i veprimeve tona, i neglizhencës sonë dhe, shpesh, i heshtjes sonë.Shqipëria është një vend i vogël. Nuk kemi aq shumë natyrë sa të mund t’ia lejojmë vetes ta humbasim pak nga pak.Nuk kemi një Lurë tjetër.Nuk kemi një Theth tjetër.Nuk kemi një Vjosë tjetër.Nuk kemi male, pyje, lumenj e laguna për t’i zëvendësuar kur këto të jenë shkatërruar.Kemi vetëm këtë copë Shqipëri, për vete e për këdo që do lemë pas.Pikërisht kjo është ajo që duhet të kuptojmë nga Tolstoi: njeriu nuk mund të jetë vërtet mirë në një natyrë që vuan prej tij.Pyjet mund të digjen larg shtëpisë sonë, lumenjtë mund të ndoten larg qytetit tonë dhe një specie mund të zhduket pa e parë kurrë me sy.Çdo fije që këputim nga lidhja jonë me natyrën na varfëron edhe ne. E bën të ardhmen tonë më të paqendrueshme.Nëse vazhdojmë kështu, fëmijëve tanë mund të mos u duhet të na pyesin se çfarë kemi ndërtuar, por; ‘Pse nuk e mbrojtët dhe deshët atë që kishit’?

Abdulla Diku (marre nga muri ne FB)https://web.facebook.com/dikua