Shqipëria prodhon energji të gjelbër. Por a po e përdor për të ulur CO₂?
Nga Dr. Gjergji Simaku
Shqipëria ka një pozicion të veçantë në tranzicionin energjetik evropian. Prodhimi vendas i energjisë elektrike mbështetet pothuajse tërësisht në burime të rinovueshme, historikisht në hidroenergji dhe, vitet e fundit, gjithnjë e më shumë në energjinë diellore. Projekte të reja fotovoltaike dhe eolike po e zgjerojnë këtë potencial.
Por ekziston një pyetje që duhet të zërë më shumë vend në debatin tonë energjetik: A mjafton që energjia e gjelbër të prodhohet në Shqipëri, apo duhet që ajo të përdoret më shumë brenda vendit për të ulur realisht emetimet shqiptare të gazeve me efekt serrë? Vendimi i ri i Qeverisë VKM 646/2026 për objektivin kombëtar klimatik e bën këtë pyetje edhe më aktuale.
Nga përqindjet te një kufi real i emetimeve
Në vitin 2016, Shqipëria mori përsipër një objektiv për reduktimin e emetimeve prej 11.5% kundrejt skenarit të parashikuar për vitin 2030. Në vitin 2021 ambicia u rrit në 20.9% kundrejt skenarit pa masa shtesë (Business as Usual – BAU).
Prej disa vitesh kam ngritur në disa forume shkencore nevojën për ta parë me kujdes mënyrën se si përcaktohen këta objektiva. Problemi nuk është ambicia klimatike. Shqipërisë i duhet një politikë ambicioze dekarbonizimi.
Çështja kryesore është baza e krahasimit mbi të cilën llogaritet dhe vlerësohet kjo ambicie klimatike. BAU nuk është një sasi e matur. Është një parashikim se çfarë do të ndodhte me emetimet nëse nuk do të ndërmerreshin masa shtesë. Për rrjedhojë, rezultati varet nga supozimet për rritjen ekonomike, konsumin e energjisë, transportin, industrinë dhe shumë faktorë të tjerë. Në një analizë të mëparshme kam argumentuar pikërisht nevojën që objektivat e CO₂ të lidhen me bilancin real të energjisë, konsumin dhe zhvillimin e RES.
VKM-ja e re, sipas meje, është një reflektim pozitiv ndaj këtij realiteti. Për vitin 2030 përcaktohet tashmë një kufi prej rreth 10.21 milionë tonësh CO₂ ekuivalent, kundrejt rreth 11.98 MtCO₂eq që rezultonin nga angazhimi i vitit 2021. Diferenca është: rreth 1.77 MtCO₂eq, ose 14.8% më pak.
Në vend të debatit vetëm mbi një përqindje ndaj një skenari hipotetik, kemi një pyetje shumë më konkrete: Si do ta mbajë Shqipëria ekonominë e saj nën 10.21 MtCO₂eq në vitin 2030?
Prodhimi i përmes burimeve të rinovueshme të energjisë (BRE) nuk është automatikisht dekarbonizim.
Dëgjojmë shpesh se Shqipëria prodhon energji elektrike 100% të rinovueshme. Kjo është përgjithësisht e vërtetë për prodhimin vendas të elektricitetit në shumë vite, por nuk do të thotë se ekonomia shqiptare është e dekarbonizuar. Energjia elektrike është vetëm një pjesë e konsumit final të energjisë. Transporti vazhdon të mbështetet kryesisht në produktet e naftës. Ndërtesat përdorin burime të ndryshme për ngrohje dhe ftohje. Industria dhe shërbimet gjithashtu konsumojnë energji me origjinë fosile.
Prandaj duhet të dallojmë prodhimin e BRE nga konsumi i BRE-ve brenda ekonomisë shqiptare. Ky dallim është jo vetëm koncepti ligjor por është detyrues për objektivin prej 54.4% të energjisë së rinovueshme në konsumin final bruto në vitin 2030. Objektivi nuk mat thjesht MW-të e centraleve të ndërtuara. Ai lidhet me energjinë që konsumohet. Në analizën time të mëparshme kam evidentuar pikërisht diferencën ndërmjet sasive të nevojshme të RES dhe parashikimeve të konsumit kombëtar.
Sa TWh shtesë do të duhen të konsumohen nga BRE-të deri në 2030-ën.
Më herët, në të njëjtën analizë kam identifikuar një portofol prej rreth 2,946 MW projektesh BRE për tregun e lirë, me potencial prodhimi rreth 4.39 TWh/vit. Pyetja që shtrova ishte e thjeshtë: çfarë do të ndodhte nëse kjo energji do të konsumohej brenda Shqipërisë dhe do të zëvendësonte konsum me origjinë fosile?
Vlerësimi tregonte një efekt potencial dekarbonizimi prej rreth 1.9 MtCO₂eq/vit. Është interesante që sot diferenca ndërmjet tavanit të mëparshëm dhe objektivit të ri është rreth 1.77 MtCO₂eq. Nuk mund t'i barazojmë mekanikisht këto dy shifra. Emetimet kombëtare përfshijnë energjinë, transportin, industrinë, bujqësinë, mbetjet dhe sektorë të tjerë. Edhe efekti i një MWh BRE varet nga burimi energjetik që ai zëvendëson.
Gjithsesi, afërsia e shifrave tregon përmasën e mundësisë. Pyetja nuk është nëse duhet të eksportojmë energji. Eksporti është pjesë normale e tregut rajonal dhe evropian. Pyetja është: a kemi krijuar mekanizmat që një pjesë e prodhimit të ri RES të përdoret për të zëvendësuar konsumin fosil brenda Shqipërisë?
BRE-të dhe efiçienca e energjisë duhet të ecin së bashku
Dekarbonizimi nuk kërkon vetëm centrale të reja. Ekziston edhe një “burim” tjetër energjie: energjia që kursejmë. Rinovimi energjetik i ndërtesave, termoizolimi, pompat e nxehtësisë, sistemet moderne HVAC, pajisjet eficiente dhe modernizimi i proceseve industriale mund të reduktojnë konsumin dhe njëkohësisht të krijojnë hapësirë për elektrifikimin. Prandaj rruga drejt 10.21 MtCO₂eq duhet të ndërtohet mbi një ekuacion më të plotë:
BRE + efiçiencë e energjisë + elektrifikim = reduktim real i GHG-ve.
Energjia e re diellore dhe eolike mund të përdoret për pompa nxehtësie, transport elektrik, vetëprodhim dhe elektrifikim industrial, duke zëvendësuar gradualisht karburantet fosile. Por sa do të kushtojë? Këtu objektivi klimatik duhet të përkthehet në investim.
Duhen Fotovoltaike dhe centrale Eolike, por duhen edhe rrjeta elektrike që mund të absorbojnë energjinë shtesë, kapacitete ruajtjeje dhe fleksibiliteti. Duhen investime në ndërtesa, pompa nxehtësie, transport dhe industri. Një vlerësim paraprak, që duhet verifikuar me analizë të detajuar sektoriale, sugjeron se paketa shtesë BRE + EE + rrjet/ruajtje + elektrifikim mund të kërkojë investime prej disa miliardë eurosh deri në vitin 2030. Një interval rreth 2.5–3.0 miliardë euro meriton të analizohet seriozisht. Kjo nuk është një kosto zyrtare e VKM-së së re, por një hipotezë investimi që duhet testuar teknikisht.
Dhe pikërisht këtu debati ynë përputhet me diskutimin që zhvillon sot Energy Community Secretariat. Në vlerësimin e publikuar në gusht 2026, Sekretariati kërkon që NECP-të të kalojnë nga dokumente politikash në “investment roadmaps”: objektivat duhet të lidhen me projekte konkrete, kosto realiste dhe burime financimi. Për nëntë Palët Kontraktuese, investimet e identifikuara për zbatimin e NECP-ve arrijnë rreth 151 miliardë euro, ndërkohë që financimi publik pritet të mbulojë vetëm një pjesë të nevojës.
Pra diskutimi nuk është më vetëm: Cili është objektivi? Diskutimi po bëhet: Cilat investime e realizojnë atë?
Nga objektivi politik te programi i investimeve
VKM-ja e re krijon një mundësi për ta zhvendosur debatin shqiptar nga përqindjet te rezultatet.
Në vend që të diskutojmë vetëm −11.5%, −20.9% apo një vlerë tjetër, duhet të ndërtojmë zinxhirin:
MtCO₂eq → TWh → BRE + EE → investime → reduktim real i CO₂.
Sa TWh BRE duhet të konsumohen brenda vendit? Sa energji duhet të kursehet? Sa konsum fosil duhet të elektrifikohet? Dhe sa euro duhen investuar për çdo ton CO₂ të shmangur?
Shqipëria ka hidroenergjinë, potencial të konsiderueshëm diellor dhe eolik dhe një treg të BRE-ve që po zhvillohet me shpejtësi. Ky është një avantazh i madh. Por sfida e ardhshme nuk është vetëm të prodhojmë më shumë energji të gjelbër.
Sfida është ta përdorim atë për të dekarbonizuar ekonominë shqiptare. Prandaj, për çdo MW të ri BRE që miratojmë, krahas pyetjes: “Sa MWh do të prodhojë?” duhet të shtrojmë edhe dy të tjera: “Sa CO₂ do të reduktojë realisht në Shqipëri?” dhe “Sa kushton çdo ton CO₂ që po shmangim?” Kur t'u përgjigjemi këtyre pyetjeve, objektivi klimatik nuk do të jetë më vetëm një angazhim politik. Ai do të bëhet një program energjetik dhe investimesh i matshëm, i financueshëm dhe i realizueshëm.
06.09.2026